
Reshjet e shiut kanë pushuar, por ka ende probleme nga përmbytjet. Për të folur për situatën aktuale në vend ishte e ftuar në A2 ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi. Ministrja ngriti si problem kryesor ndërtimet pa leje që kanë zënë kanalet kulluese.
“Në terren, kemi vënë re se kanalet kulluese janë zënë nga ndërtimet pa leje. Edhe komuniteti duhet të përfshihet në këtë situatë për të zgjidhur në këtë problem në një periudhë afatgjate”.
Ekonomi theksoi se deri tani, nuk është regjistruar asnjë dëm në kategorinë e blegtorisë. “Sërish tani kemi nisur një furnizim të ri për zonën e Shkodrës. Me t’u larguar uji, bashkitë përkatëse do të vënë në dispozicion të gjithë ekspertizën që kanë për të parë zonat problematike, për të matur dëmin e shkaktuar”.
Sa i përket mundësisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ministrja u shpreh: “Këtë e vendos komiteti i Emergjencave Civile, i cili gjykon situatën”. (A2 Televizion)