
“Jam deputeti më aktiv pasi më djeg, pasi kemi kaq vite që tentojmë të marrim Bashkinë e Lushnjës dhe ky është një moment i artë në kushtet që ndodhet Lushnja, ku gjysma e bashkisë është në burg. Në këto kushte nuk mund ta dhurojmë këtë bashki”.
Kështu u shpreh në një intervistë në A2 CNN deputeti demokrat Saimir Korreshi teksa foli për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ku një nga bashkitë ku do të votohet është edhe ajo e Lushnjës. Ai u shpreh se demokratët duhet të dalin me një kandidat të vetëm në këto zgjedhje për ta fituar këtë bashki.
“Të gjithë demokratët bien dakord që të dalim me një kandidat të vetëm në këto zgjedhje, pasi ekziston bindja që ne mund të fitojmë, por ende nuk kemi një vendim finale. Fillimisht duhet të gjejmë emëruesin e përbashkët se kush do të jetë kandidati. Ne na duhet patjetër fitorja në këtë bashki”, tha Korreshi.
Sa i përket 4 emrave të propozuar një ditë më parë nga Komisioni i Rithemelimit të PD, Korreshi i vlerësoi, por theksoi se ka edhe elementë të tjerë që mund të jenë në garë.
“Kam vlerësim maksimal për ata, pasi janë shokët dhe miqtë e mi, pavarësisht pozicionit në grupin e rithemelimit. Kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë, por gjykoj se ka edhe elementë të tjerë që kanë shprehur dëshirën për të kandiduar”, tha Korreshi. (A2 Televizion)