
Pas shumë vitesh, derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani rikthehet në pozita krejt të kundërta. Këtë herë, janë "bardheblutë" ata që kryesojnë renditjen, ndërsa "të kuqtë" ndjekin në vendin e tretë me një diferencë prej 6 pikësh.
Presioni edhe këtë herë ndërron kah, me Partizanin që duhet rekuperojë përballë kryesuesve, por drejtuesit e kampionëve janë optimistë për sfidën.
Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, u shpreh: “Tirana është në periudhë të mirë, fluturon në krahët e entuziazmit, por duhet të dijë që përballë do të ketë një Partizan tejet të motivuar. Përsa i përket rajonit dhe Shqipërisë, Mala do të jetë vetëm lojtar i Partizanit. Ka një kontratë që i krijon mundësitë për të luajtur vetëm në kampionate të tjera jashtë vendit”.
Ndërsa trajneri Adolfo Sormani u shpreh: “Mala i gatshëm për derbi? Mos prisni surpriza, pasi nuk luan prej 10 dhjetorit, por ka formë të mirë dhe do të rikthehet shpejt. Derbin e shoh si një ndeshje midis dy skuadrave që luajnë për titullin kampion. Do ta shfrytëzojmë këtë takim për të ngushtuar diferencën. E di që për tifozët, për ambientin, për të gjithë është një derbi, por për mua mbetet një ndeshje normale që duhet fituar. Nuk më frikëson Tirana. Më vjen keq për mungesën e Trashit. Na ka kërkuar që të fitojmë me patjetër derbin dhe do të përpiqemi në maksimum të mbajmë fjalën”.
Tirana vjen e qetë në këtë përballje sipas trajnerit Egbo, i cili nuk harron të thotë se pas çdo suksesi të skuadrës, fshihet zoti.
Derbi i kryeqytetit luhet këtë të premtë prej orës 19:00, në stadiumin kombëtar që premton rekord tifozësh. (A2 Televizion)