
“A do të shkosh me turmën apo do të shohësh të dhënat dhe të ecësh kundër rrymës? Unë zgjedh këtë të fundit”. Guvernatori i Floridas Ron DeSantis u përpoq të shpallte kandidaturën për president në një mënyrë unike; me pronarin e Twitterit Elon Musk në platformën audio Twitter Spaces. Por problemet teknike ja prishin pak planet dhe biseda nisi 20 minuta me vonesë.
“Mendoj se kemi një numër të madh njerëzish online dhe serverat janë mbingarkuar” Ekipi i DeSantis u përpoq të mbulonte problemet, duke thënë se kishin thyer internetin me entuziazmin e madh.
“Ndërsa prisni bëni donacione”, ishte mesazhi i tyre.
“Duhet të shohim para dhe jo pas. Na duhet kurajo për të udhëhequr dhe duhet të kemi forcën për të fituar”, u shpreh DeSantis.
DeSantis e shfrytëzoi debutimin në betejën presidenciale, për të shpalosur kredencialet e tij konservatore, qëndrimin kundër izolimit gjatë kohës së pandemisë dhe reformat në arsim.
“Po garoj si presidenti i Shteteve të Bashkuara për të udhëhequr rikthimin e madh amerikan. Po e shohim se vendi po shkon në drejtimin e gabuar”.
Një emër realitivisht i ri i politikës, DeSantis u kthye në një rock star mes republikanëve, pas zgjedhjeve të mesit të mandatit ku siguroi një numër rekord votash në Florida. I konsideruar deri më tani si rivali më i fortë i atij që dikur ishte mentor i tij politik, Donald Trump, DeSantis ka ndërmarrë një sërë politikash kontroverse, që e kanë bërë më të lehtw sigurimin e armëve në Florida, kanë kufizuar edukimin mbi identitetin gjinor dhe seksual në shkolla dhe të drejtat e abortit.
Megjithatë teksa gara republikane intensifikohet një sondazh i CNN tregon se Donald Trump është në avantazh me gati dyfishin e mbështetjeve se ato për DeSantis. DeSantis ka shmangur sulmet direkte ndaj Trump, i cili nga ana tjetër nuk e ka kursyer, për të mos armiqësuar bazën republikane që mbështet fuqishëm ish-presidentin. (A2 Televizion)