Dëshmorët e Atdheut, efektivët e rënë ndër vite, 225 yjet e murit të kujtesës

Nga A2 CNN
29 Shtator 2021, 20:48 | Kronikë
Dëshmorët e Atdheut, efektivët e rënë ndër vite,

Saimir Hoxha, “Dëshmori i Atdheut” është efektivi i 225 mes policëve të rënë në krye të detyrës. Murit të kujtesës në Ministrinë e Brendshme do t’i shtohet ylli i dëshmorit ndërsa përgjatë viteve vrasjet e efektivëve në detyrë kanë rishfaqur problemet që ka zbatimi i ligjit në raport me krimin.

Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila ishin dy efektivët e policisë që u gjetën të vrarë në mars të vitit 2009 në Shemri të Kukësit. Ata u qëlluan nga Afrim Hasani, pak ditë pasi gjatë një kontrolli të policisë ai ishte konfliktuar me ta. Një javë më pas Afrim Hasani qëlloi me breshëri automatiku duke iu marrë jetën efektivëve.

Më 7 gusht 2009 Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj u vranë nga Dritan Dajti gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Në vitin 2010 plumbat i morën jetën dhe Roland Likajt në lagjen Çole të qytetit të Vlorës gjatë një operacioni për kapjen e një të dyshuari.

Më 13 shtator 2012, shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj u qëllua me breshëri automatiku. Vrasja e komisarit ndodhi për faktin se ai ndaloi për kontroll makinën e nipit të Ilir Xhakjës, një personazh i skeduar disa herë nga policia.

Më 25 shkurt 2013 shefi i komisariatit nr. 6 Dritan Lamaj u vra vetëm pak metra larg banesës së tij. Për vrasjen u arrestua Arben Frroku që fillimisht u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por Apeli e dënoi me burgim të përjetshëm.

Ibrahim Basha, ish komandoja që shërbeu në Irak dhe Afganistan, ishte viktima e radhës në Lazarat gjatë një operacioni për kapjen e disa personave që dyshoheshin për kultivimin e kanabisit në vitin 2015.

Në po të njëjtin vit Simon Gjeta, efektiv i policisë së Shkodrës u qëllua për vdekje gjatë një operacioni për kapjen e një personi të akuzuar për plagosje.

Në shtator të 2016 efektivi i policisë së FNSH, Ardian Kodra, u vra nga 30 vjeçari David Qose, i cili rezultoi se ishte person me probleme mendore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos