
Mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës dështoi në mungesë të kuorumit. Kjo nuk është pritur mirë nga partitë opozitare që lëshuan kritika në drejtim të mazhorancës.
Me rëndësi konsideruan caktimin e datës për debatin parlamentar lidhur me refuzimin e projektit të gazësjellësit dhe zgjedhjen e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe organin shqyrtues në Prokurimin Publik. Partia Demokratike e Kosovës, sjelljen e qeverisë e ndërlidh me rezultatin në zgjedhjet lokale.
“Siç duket pas rezultatit të fundit zgjedhor, mazhoranca nuk ka vullnet me qenë në Kuvend dhe me shty përpara agjendën parlamentare. Ne megjithatë i bëjmë thirrje që të jenë prezent kryetari së bashku me nënkryetarët që vijnë nga pushteti. Betejat parlamentare janë të rëndësishme dhe i kontribuojnë demokracisë së vendit tone”, tha Abelart Tahiri, shef i grupit parlamentar i PDK.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u përqendrua më shumë në projektin e gazësjellësit, të refuzuar nga qeveria për arsye financiare.
“Vendimi i qeverisë për neve si grup parlamentar është ndër veprimet më të dëmshme që i ka bërë në këtë kohë, është një veprim që duhet të përmirësohet dhe duhet të jetë shumë shpejtë para Kuvendit për të argumentuar aspektin që lidhet me fillimin e projektit të MCC-së. Ne kërkojmë që sa më shpejtë të caktohet seanca dhe të ndodh debati në mënyrë që kjo çështje të adresohet në Kuvend dhe qeveria të ndryshojë mendimin”, tha Besnik Tahiri.
Ndër të tjera PDK paralajmëroi një kallëzim penal për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me implementimin e marrëveshjes ndërkombëtare HERAS+ me Austrinë, pa ratifikim në kuvend. (A2 Televizion)