
Në Kosovë, nis vaksinimi nga ekipet e lëvizshme. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se ekipet mjekësore do të jenë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 17:00 për t’iu mundësuar qytetarëve që të vaksinohen.
Nga java e ardhshme, ekipe të lëvizshme për vaksinim në hapësira publike do të vendosen edhe nëpër komunat e tjera. Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi shtesë si rruga më e sigurt për t’u mbrojtur nga sëmundja.
Menaxheri i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, tha se me këtë formë të vaksinimit synojnë që të jenë sa më afër qytetarit.
Ai ka sqaruar se në tendat e ekipeve të lëvizshme do të bëhet vaksinimi vetëm me dozën e parë, kurse dozën e dytë qytetarët duhet ta marrin në qendrat e vaksinimit.
Prej nisjes së fushatës së vaksinimit më shumëse 686 mijë persona janë vaksinuar plotësisht kundër këtij virusi, ndërsa 833 695 vetë kanë marrë dozën e parë.
Deri më 21 tetor, rezulton të jetë e vaksinuar plotësisht 38.1 për qind e popullsisë së përgjithshme. Rastet me koronavirus janë ulur ndjeshëm në Kosovë, me vetëm 18 raste dhe asnjë vdekje të shënuara në 24 orët e fundit. (A2 Televizion)