Izolimi gjatë pandemisë shtoi numrin e rasteve të dhunës në familje. Trendi në rritje i fenomenit negativ vijoi edhe në 6muajt e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, në harkun janar-qershor u denoncuan 683 raste të dhunës në familje, 169 më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por, a janë këto vetëm efekte të karantinës? Sipas psikologes Arjana Muçaj, “këto janë efekte që vijnë në vazhdimësi të problematikave që kemi pasur, karantina thjesht i thelloi ato më shumë dhe i bëri më të dukshme. Është vënë re së grupe vulnerabël ishin edhe fëmijët dhe të moshuarit, sepse karantina i bëri bashkë”.

Dhuna në familje vijon të konsiderohet si një çështje private, familjare, dhe si një pjesë normale të jetës bashkëshortore e kësisoj në shumë raste nuk denoncohet.

“Dhuna gjithmonë duhet folur, treguar dhe denoncuar”, nënvizon Muçaj.
Në harkon kohor 2016-2020, sipas të dhënave nga Policia e Shtetit janë denoncuar 20,609 raste të dhunës në familje ndërsa gjykatat kanë lëshuar 13,489 urdhra mbrojtje. Si pasojë e dhunës 7,816 persona janë dëmtuar ndërsa 76 kanë humbur jetën, ku pjesa dërrmuese kanë qenë gra. (A2 Televizion)