Dialogu kosovë-serbi, Lajçak takon Kurtin dhe Vuçiç në Davos

Nga A2 CNN
18 Janar 2023, 15:11 | Kosova
Dialogu kosovë-serbi, Lajçak takon Kurtin dhe Vuçiç

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç gjatë forumit ekonomik të Davosit në Zvicër. Lajçak shkroi në rrjetin social Twitter se gjatë takimit me Kurtin diskutuan “për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale”.

Edhe në takimin me Vuçiqin, u diskutua për situatën në rajon dhe dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojnë më 20 janar Kosovën dhe më pas Serbinë, për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut. Sipas burimeve në Bruksel, fokusi kryesor do të jetë propozimi europian për një marrëveshje dhe për organizimin e takimeve të niveli të lartë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ajo e cilëson draftin si “një bazë e mirë, që pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos