
Në një intervistë me gazetën zvicerane “Blick”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti falënderoi dy lojtarët me origjinë shqiptare që luajnë për përfaqësuesen helvete, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, për rolin që kanë luajtur në frymëzimin e rinisë. “I falënderoj ata që frymëzuan kaq shumë talent të rinj për të luajtur futboll. Edhe në Kosovë”, tha Kurti.
Në dy Botërorët e fundit, Zvicra e shqiptarëve ka luajtur kundër Serbisë, ku në të dy rastet nuk kanë munguar incidentet. Në Katar, pas ndeshjes me Serbinë, ku u përlesh me disa prej lojtarëve kundërshtarë, Granit Xhaka u pa duke festuar me një fanellë me mbishkrimin Jashari, mbiemri i komandantit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fanella në fakt ishte e një tjetër shqiptari që luan me Zvicrën, Ardon Jashari.
I pyetur nëse përfshirja e politikës në fushën e futbollit është gjë normale për të, ai tha: “Varet. Mendoj që deklaratat kundër racizmit janë të drejta dhe të rëndësishme. Dhe nëse dikush nderon identitetin e tyre, atëherë është normale për mua”. (A2 Televizion)