
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë të hënën në Prishtinë dhe në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë një hov të ri bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Lajçak pritet të zhvillojë një drekë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa gjatë mbrëmjes do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç në Beograd.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në lëvizje për të shtyrë përpara dialogun në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parashikon njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha javën e kaluar se e sheh planin si bazë të mirë për diskutime dhe i bëri thirrje përfaqësuesit të lartë Josef Borrel të organizojë sa më parë takime të rregullta. Sakaq, presidenti Vuçiç la të kuptohet se do të pranojë propozimin duke paralajmëruar pasoja të rënda për vendin nëse e refuzon atë.
Por më parë Serbia kërkon me ngulm krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka vendosur 6 kushte për të lejuar themelimin e tij. (A2 Televizion)