
Takimin e 27 qershorit në Washington, presidenti Hashim Thaçi e sheh si një mundësi të artë për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu i shtetit të Kosovës tha se nuk ka adresë më të besueshme për Kosovën sesa Shtetet e Bashkuara.
“Është takim i një rëndësie të veçantë, po themi historike, sepse për herë të parë të dy vendet tona takohen, apo kanë pranuar që të takohen në Shtëpinë e Bardhë. Është një interesim do të thotë i politikës më të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga vetë presidenti Trump, dhe tani kemi një angazhim shumë aktiv, dinamik dhe shumë energjik, por me të vërtetë me vizion të ambasadorit Grenell. Pres që të kemi një vullnet të dyanshëm, të punojmë seriozisht për arritjen e një marrëveshje të rëndësishme për të mirën e dy vendeve, popujve tanë. Është shumë me rëndësi që të dy vendet tona edhe Kosova edhe Serbia kanë treguar zotimin e vet, por edhe besimin që ky proces të jetë i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme dhe për të ardhmen e sigurt të të dyja vendeve në rrafshin edhe zhvillimor, por edhe atë të vlerave euroatlantike”, tha Thaçi.
Ndërsa shprehet optimist se marrëveshja do të arrihet më ndërmjetësimin e Washingtonit, Thaçi hodhi poshtë çdo mundësi që të bisedohet për prekje kufijsh dhe theksoi çdo ujdi do të duhej të përmbyllej me njohje reciproke.
“As që ka kërkuar ndokush që çështje të tilla të hapen prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës as që do të lejohet të diskutohet nga pala kosovare. Natyrisht me njohjen reciproke do të ketë edhe demarkim të kufirit siç ka ndodhur i Kosovës edhe me Malin e Zi edhe me Maqedoninë sepse do të jemi dy vende të pavarura dhe sovrane në fqinjësi që duhet ta definojmë edhe çështjen e kufirit në kuptimin e ekspertëve teknik pas marrëveshjes”, shtoi presidenti.
Sa i përket procesit të negociuar nga Bashkimi Europian, presidenti i Kosovës nuk pret rezultate në të ardhmen e afërt, ndërsa theksoi se BE e ka cenuar besimin e qytetarëve të Kosovës. (A2 Televizion)