
Luhet sot në orën 19:45 derbi ndërmjet Tiranës dhe Partizanit. Sfida që e pret i gjithë kryeqyteti, por jo vetëm, ka një dilemë tejet të madhe: nëse do të luhet në praninë e 7000 tifozëve, pra sipas rregullave anti-Covid që lejojnë vetëm 30 për qind të kapacitetit në stadiume, apo Arena Kombëtare do të jetë e mbushur.
Biletat vazhdojnë të shiten në masë, madje përveç tribunave poshtë që kanë përfunduar, ka nisur shitja e vendeve në tribunat e sipërme, në unazën e dytë të stadiumit.
Mendohet që janë shitur rreth 70% të biletave, por ka zëra, edhe pse jo zyrtarë, që stadiumi do të jetë i mbushur me kapacitet të plotë.
Në këtë rast mbetet dilema: A lejohet diçka e tillë? Leje nga autoritetet nuk ka, ndërsa grupi i ekspertëve nuk ka tagrin të bëjë asgjë, sepse vetëm sugjeron masat që duhen marrë për të luftuar pandeminë. (A2 Televizion)