Diplomatët e BE-së do të informohen sot mbi marrëveshjen tregtare me Britaninë e Madhe

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2020, 07:18 | Bota

Ambasadorët e BE-së do të informohen gjatë Ditës së Krishtlindjeve mbi marrëveshjen tregtare pas Brexit të arritur me Mbretërinë e Bashkuar.

Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, do të njoftojë diplomatët mbi marrëveshjen e arritur pas muajsh të gjatë bisedimesh mbi të drejtat e peshkimit dhe rregullat e biznesit.

Britania e Madhe do të dalë nga rregullat e tregtisë së BE-së, më 31 dhjetor, një vit pasi u largua zyrtarisht nga blloku prej 27 vendesh.

Deputetët janë ende në pritje për të parë tekstin e plotë të marrëveshjes së tregtisë së lirë përpara se të votohet në Parlament më 30 dhjetor. Laburistët thanë se ishte një "marrëveshje e dobët", por ata do ta mbështesnin atë si alternativën e vetme, që do të thotë se ajo duhet të marrë miratimin.

Parlamenti Evropian duhet të ratifikojë marrëveshjen, por nuk ka gjasa ta bëjë këtë deri në vitin e ri, dhe zbatimi i saj do të jetë zyrtarisht i përkohshëm deri atëherë.

Një përmbledhje prej 34 faqesh e marrëveshjes është botuar në faqen e internetit të qeverisë.

Kryenegociatori i Tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar Lord Frost, tha se dokumenti i plotë, i cili përbëhet nga rreth 1500 faqe, përfshirë afërsisht 1000 faqe shtojca dhe shënime në fund të faqes - do të publikohet së shpejti.

Në një videomesazh me rastin e Krishtlindjes, postuar në Twitter të enjten në mbrëmje, kryeministri Boris Johnson tregoi një kopje të dokumentit.

"Një marrëveshje për t'i dhënë siguri biznesit, udhëtarëve dhe të gjithë investitorëve në vendin tonë nga 1 janari. Një marrëveshje me miqtë dhe partnerët tanë në BE."

Më herët, në një konferencë shtypi në Downing Street menjëherë pasi u njoftua marrëveshja, Z. Johnson tha: "Ne kemi marrë përsëri kontrollin e ligjeve tona dhe fatin tonë", por theksoi që Britania e Madhe, "do të mbetet e lidhur kulturalisht, emocionalisht, historikisht, strategjikisht dhe gjeologjikisht e lidhur me Evropën".

Në një konferencë shtypi në Bruksel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se marrëveshja ishte "e drejtë" dhe "e ekuilibruar" dhe se tani ishte "koha për të kthyer faqen dhe për të parë të ardhmen". “Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i besuar", shtoi ajo.

Marrëveshja vjen katër vjet e gjysmë pasi Britania e Madhe votoi për t'u larguar nga BE dhe do të përcaktojë marrëdhëniet e ardhshme për dekada.

Mallrat do të vazhdojnë të tregtohen pa tarifa dhe kuota, dhe do të ketë arbitrazh të pavarur për të zgjidhur mosmarrëveshjet e ardhshme. Kjo do të thotë ndryshime të mëdha për biznesin, me MB dhe BE formohen dy tregje të ndara, dhe i jepet  fund lëvizjes së lirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos