Të paktën një person ka humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur, pasi një person i armatosur kreu një sulm mbi një kishë në qytetin Grand Blanc, të Michigan, të dielën në mëngjes.
Sipas autoriteteve amerikane, agresori, një burrë 40-vjeçar nga qyteti fqinj Burton përplasi makinën e tij në hyrjen e kishës, hapi zjarr me një pushkë automatike ndaj qindra besimtarëve të pranishëm në shërbesë dhe më pas i vuri zjarr ndërtesës, duke shkaktuar një tragjedi.
Shefi i Policisë së Grand Blanc Township, William Renye, tha se incidenti ndodhi gjatë një shërbese fetare ku ndodheshin më shumë se 100 persona, përfshirë fëmijë. "Dhjetë persona janë qëlluar, një prej tyre ka ndërruar jetë. Të tjerët janë dërguar në spital me plagë të rënda", u shpreh Renye në një konferencë për shtyp.
Ai shtoi se ka mundësi që numri i viktimave të rritet, pasi disa persona mund të kenë mbetur brenda ndërtesës së përfshirë nga flakët.
Sulmuesi u qëllua për vdekje në vendngjarje gjatë një përplasjeje me armë me dy oficerë një nga Departamenti i Burimeve Natyrore dhe tjetri nga Policia e Grand Blanc Township.
Policia sakaq po kryen hetime në banesën e të dyshuarit dhe do të analizojë telefonin e tij celular për të kuptuar nëse sulmi kishte një motiv të caktuar. Deri më tani, identiteti i autorit nuk është bërë publik.
Sipas burimeve nga FBI dhe policia, flakët që shkrumbuan kishën janë shkaktuar qëllimisht nga autori. Një njësi antieksploziv po heton gjithashtu një objekt të dyshimtë në vendngjarje, i cili mund të jetë një pajisje shpërthyese e improvizuar.
Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka shkatërruar të gjithë strukturën e kishës. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një kamionetë argjendi me dy flamuj amerikanë, e përplasur në hyrje të ndërtesës, ndërsa tymi i dendur mbulonte zonën përreth.
Një dëshmitar shkroi në rrjete sociale se "kisha është shkatërruar plotësisht”. “E pashë makinën e sulmuesit para derës kryesore. Ishte tmerr", shton ai.
Presidenti Donald Trump reagoi në Truth Social, duke dënuar "epideminë e dhunës" në SHBA.
“Jam informuar për të shtënat e tmerrshme që ndodhën në Kishën e Jezus Krishtit në Grand Blanc, Michigan. FBI ishte menjëherë në vendin e ngjarjes dhe do të udhëheqë hetimin federal, duke ofruar mbështetje të plotë për autoritetet shtetërore dhe lokale", shkroi Trump.
"I dyshuari është i vdekur, por ka ende shumë për të mësuar. Ky duket se është një tjetër sulm i qëllimshëm ndaj të krishterëve në SHBA. Administrata Trump do ta mbajë publikun të informuar, si gjithmonë. Në ndërkohë, lutuni për viktimat dhe familjet e tyre. Kjo epidemi e dhunës në vendin tonë duhet të përfundojë, menjëherë!", nënvizoi Trump.
Edhe Guvernatorja e Michiganit, Gretchen Whitmer reagoi duke dënuar këtë akt të tmerrshëm përmes një postimi në platformën ‘X’. "Zemra ime është e thyer për komunitetin e Grand Blanc. Dhuna kudo, veçanërisht në një vend adhurimi, është e papranueshme. Jam mirënjohëse për shërbimet e emergjencës që ndërhynë shpejt. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë këtë situatë dhe do të qëndrojmë pranë Kishës së Jezus Krishtit në Grand Blanc", shkroi Whitmer. (A2 Televizion)