Dita Botërore e HIV/AIDS, bien rastet në botë, por diagnostikimi i vonshëm mbetet problem

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2020, 13:30 | Bota
Dita Botërore e HIV/AIDS, bien rastet në botë, por diagnostikimi

Europa ka shënuar progres të konsiderueshëm drejt qëllimit për të eliminuar AIDS-in deri në vitin 2030, por diagnostikimi i vonshëm mbetet një problem i madh.

Të dhënat e reja, të publikuara me rastin e 1 dhjetorit, Ditës Botërore kundër HIV/AIDS sugjerojnë se diagnostikimet e reja në vendet e BE kanë rënë me 9 për qind që prej 2010-s. Rastet më të shumta po evidentohen në Europën Lindore, veçanërisht Rusi dhe Ukrainë.

Por, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se numri i rasteve të padiagnostikuara me HIV, po rritej. Sipas saj, duhen mesatarisht 3 vjet që një person i infektuar, të konfirmohet me HIV, çka rrit rrezikun e transmetimit.

Gati 137 mijë persona u diagnostikuan me HIV në Europë gjatë vitit 2019, 25 mijë prej të cilëve në BE. Numrin më të lartë të rasteve për 100 mijë banorë në Europën Perëndimore e kanë Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Në rang global numri i infektimeve me HIV ka rënë me 23 për qind që prej 2010-s, ndërsa vdekjet janë 39 për qind me pak.

Ndërkaq, kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se jeta e personave me HIV/AIDS është prekur rëndë nga pandemia e Covid-19. 

“Drejtor i OBSH ka prova që sugjerojnë se njerëzit që jetojnë me HIV, mund të kenë rrezik të shtuar të preken rëndë ose të vdesin nga Covid-19. Rreziku është shtuar edhe nga ndërprerjet e trajtimit të personave të infektuar”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus.

OBSH thekson se shumica e programeve kundër HIV-it, janë përballur me periudhën më të vështirë këtë vit si pasojë e pandemisë.

Virusi i HIV nisi të përhapej rreth botës, 4 dekada më para duke vrarë miliona njerëz mes viteve 80 dhe 90. Ai dëmton qelizat e sistemit imunitar dhe dobëson aftësinë e njerëzve për të luftuar infeksionet.  Një shifër rekord prej 26 milionë njerëzish janë në trajtim me antiretrovirale, por ritmi i infeksionit është ngadalësuar dhe 12 milionë njerëz që e kanë virusin nuk marrin trajtim.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos