
Ministri i ri për shpërndarjen e vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar la të kuptohet gjatë një interviste se restorantet, lokalet dhe kinematë mund të mos pranojnë klientët që nuk i janë nënshtruar një vaksine kundër koronavirusit.
Nadhim Zahawi deklaroi se edhe pse marrja e vaksinës do të jetë vullnetare, disa ambiente, duke përfshirë këtu ato sportive, mund të kërkojnë një vërtetim vaksinimi që të lejojnë hyrjen e qytetarëve.
Ministri shtoi se qytetarët duhet të vendosin vetë nëse do ta marrin apo jo vaksinën, por atyre do t’iu jepet mesazhi i fortë që ajo është një gjë e mirë për familjen, komunitetin dhe vendin.
Kompanitë ajrore tashmë janë duke e shqyrtuar idenë për kërkim të “pasaportave të imunitetit” si kusht për të fluturuar.
Shumë ekspertë e kundërshtojnë këtë skemë, duke e konsideruar atë si shkelje të të drejtave të njeriut. (A2 Televizion)