
Një tjetër natë ka kaluar mes frikës dhe zhurmës së bombave në qytetet ukrainase. Sirenat që lajmërojnë sulme ajrore u dëgjuan në shumë rajone, nga Lviv në Kharkiv dhe Odesa.
Një pallat 9-katësh u bë shënjestër e një sulmi rus në zonën e Oblon në Kiev, me pasojë vdekjen e të paktën 2 personave dhe plagosjen e 3 të tjerëve. Dhjetëra banorë u evakuuan nga godina, ndërsa zjarrfikësit ndërhyjnë për shuarjen e flakëve.
Predhat ruse sulmuan edhe fabrikën e prodhimit të avionëve Antonov, rreth 10 km nga qendra e qytetit të Kievit. Mediat ukrainase raportojnë se një kullë televizive pranë Rivne në perëndim të Kievit ishte dëmtuar si rezultat i një sulmi me raketë.
Në shënjestër edhe fshati Stavische, në rajonin e Zhytomyr ku predhat goditën godina të administratës lokale. Flitet për 4 të plagosur dhe 7 ndërtesa të shkatërruara.
Kjo video e verifikuar nga BBC, tregon një sërë godinash të larta që bombardohen nga ushtarët rusë në qytetin port të Mariupol ditën e diel. Praktikisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës, Mariupol përballet prej ditësh me breshëri raketash ruse, ndërsa evakuimi i qytetarëve është i pamundur. Sipas autoriteteve ukrainase, mbi 2100 civilë besohet të jenë vrarë atje që kur trupat e Vladimir Putin e rrethuan qytetin strategjik më 2 mars.
Bota pa e alarmuar të dielën, teksa ushtria ruse e zgjeroi ofensivën pranë kufirit të Polonisë anëtare të NATO-s, duke sulmuar një bazë ushtarake në Javoriv. Kievi pretendon se u vranë 35 persona e u plagosën 134 të tjerë, ndërsa Rusia thotë se ka vrarë deri në 180 mercenarë të huaj dhe se ka shkatërruar një sasi të madhe armësh të siguruara nga vendet perëndimore. (A2 Televizion)