Dita e mjedisit, Meta: Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Nga A2 CNN
5 Qershor 2021, 11:42 | Aktualitet
Dita e mjedisit, Meta: Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Në Ditën Botërore të Mjedisit, presidenti Ilir Meta bën thirrje për shpalljen e Vjosës, Park Kombëtar, në të gjitha degët e lumit, me qëllim mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore të jashtëzakonshme. Ai vlerëson punën studimore të një grupi shkencëtarësh nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shqipëria për evidentimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të rralla ekologjike të këtij lumi.

“Në Ditën Botërore të Mjedisit, theksoj me forcë rëndësinë e shpalljes së Vjosës, Park Kombëtar, në të gjitha degët e lumit, me qëllim mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore të jashtëzakonshme kombëtare dhe europiane.

E përshëndes punën studimore të realizuar së fundmi prej një grupi shkencëtarësh nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shqipëria, si dhe i vlerësoj konkluzionet dhe kontributin e tyre të vyer për evidentimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të rralla ekologjike të lumit Vjosa”.

Kreu i shtetit mbështet thirrjet e shkencëtarëve dhe personaliteteve për të mos lejuar ndërtimin e hidrocentraleve dhe çdo projekt tjetër shkatërrimtar dhe abuziv në këtë zonë. Ai i bën thirrje edhe autoriteteve të Bashkimit Europian ta përkrahin fuqimisht këtë kauzë.

“Mbështes thirrjen e tyre, të komunitetit lokal, të shkencëtarëve, akademikëve dhe të aktivistëve mjedisorë vendas e të huaj, të personaliteteve të filmit, artit dhe kulturës botërore, si Leonardo Di Caprio dhe Edëard Norton, drejtuar Qeverisë shqiptare, për të mos lejuar dhe për t'u tërhequr nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe çdo projekt tjetër shkatërrimtar dhe abuziv në këtë zonë.

I inkurajoj të gjitha autoritetet e larta të Bashkimit Europian të përkrahin fuqimisht kauzën, që na përket të gjithëve, duke risjellë në vëmendje edhe rezolutën e Parlamentit Europian për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.E DUAM VJOSËN DHE DO TA MBROJMË!”.  

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos