Dita Kombëtare e Aktivizmit, Shoqëria Civile bën thirrje për qytetarë të angazhuar

Nga A2 CNN
22 Tetor 2021, 19:45 | Sociale
Dita Kombëtare e Aktivizmit, Shoqëria Civile bën thirrje për

Kur qytetarët janë pasivë, demokracia vdes... Ky pohim i ndërtuar me fjalë të thjeshta i ka shërbyer shumë shoqërive në botë. Aspiratat për liri kanë shkaktuar kryengritje, revolucion, kanë rrëzuar autokratët nga froni dhe kanë çuar përpara përpjekjet për demokraci. Historikisht, demokracia është arritur në rrugë të vështira.

Shembuj të tillë nuk i mungojnë as Shqipërisë, që për fatin e keq janë zbehur në vitet e fundit. E si për të mbajtur “gjallë” aktivizmin, shoqërinë civile e njëherazi për të ruajtur vlerat e demokracisë së fituar me aq mund, 22 Tetori kujtohet si “Dita Kombëtare e Aktivizmit”.

Por, përmbysja e diktaturës në Shqipëri nuk solli automatikisht një formë më të lirë qeverisjeje, apo një shoqëri civile më të aftë, për të mos folur për kompetencën e qytetarëve, apo të shtetit ligjor.

“Spiralja e heshtjes” që vjen si pasojë e formave shtypëse nga qeveria është një tjetër shkak që e bën aktivizmin ende të brishtë në Shqipëri.  

Dhe ashtu si në shumë fusha të tjera, të huajt premtojnë të japin “një dorë” për të ndihmuar. Përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane shprehet: “Megjithatë, mos harroni që advokacia e suksesshme nuk arrihet në një ditë. Në fakt, kërkohet më shumë se kaq. Kërkohet përkushtim i qendrueshëm, që shtrihet në ditë, javë, madje dhe vite. Ju inkurajoj që ta bëni tuajin këtë përkushtim, të sfidoni problemet e vështira dhe të punoni që zëri juaj të dëgjohet. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është këtu për t’ju ndihmuar që zëri juaj të dëgjohet”.

Raporte të ndryshme vendase apo ndërkombëtare vijojnë të konfirmojnë se Shoqëria Civile në Shqipëri vijon të jetë e përjashtuar nga vendimmarrjet, ku në shumë raste nuk kanë munguar as tentativat për censurimin e saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos