
Ulja e temperaturave ka bërë që banorët e juglindjes të ndezin më shpejt zjarret në sobat e tyre me dru. Por nga një vëzhgim që A2 CNN ka kryer në Pogradec, rezultojnë se në fushat ku tregtohen dru për ngrohje nuk ka lëndë për të shitur. Sipas të dhënave me administratorë të këtyre fushave, rezulton se ka mungesë të theksuar të lëndës drusore.
Hekuran Hoxha, kryeinspektor i shërbimit pyjor në Pogradec, e pranon se kapacitetet pyjore të bashkisë së Pogradecit nuk përmbushin dot kërkesën për drutë e ngrohjes dhe rendit disa nga arsyet e kësaj situate.
Qytetarët e Pogradecit i marrin masat herët për blerjen e druve, por ka prej atyre, kryesisht pensionistë, që për arsye financiare nuk i kanë blerë dhe tani përveç çmimeve ka edhe mungesë të druve në treg.
Aktualisht, çmimi për një metër dru në Pogradec shkon nga 4 mijë deri në 4500 lekë të reja për metër kub dhe për të kaluar dimrin duhen të paktën 30 deri në 40 mijë lekë të reja për të siguruar ngrohjen më të lirë që është me dru zjarri. Dhe për pensionistin përballimi i kësaj shume ka këtë domëthënie: “Do të thotë që të rrish pa bukë dhe të ngrohesh vetëm me dru”. (A2 Televizion)