
Më shumë se 700 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi në harkun e viteve 2008-2020 duke marrë leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Europian. Thënë ndryshe, sipas të dhënave nga Instituti Europian i Statistikave, në harkun e 12 viteve, nga vendi është larguar 25% e popullsisë.
Italia, Greqia, Franca dhe Gjermania rezultojnë shtetet më të preferuara. Në krahasim me Rajonin, Shqipëria është vendi me “hemorragjinë” më të madhe të popullsisë. Pas saj, renditen Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, e më pas Mali i Zi.
Nga ana tjetër, largimet në masë dhe rikthimet në vend në numër më të paktë ka bërë që migracioni neto i Shqipërisë në dekadën e fundit të jetë minus 181 000 banorë. Grupmosha 15-29 vjeç përbën edhe pjesën më të madhe të të larguarve me 30 për qind të totalit. Të ekspozuara ndaj largimeve janë edhe grupmosha 29-35 vjeç dhe fëmijët deri në 15 vjeç. (A2 Televizion)