
Shtetet e Bashkuara janë jo vetëm mbështetësi më i madh i rezistencës së Kievit ndaj pushtimit rus, por edhe kontributori më i fuqishëm në terma financiare dhe ushtarake, me pothuajse 54 miliardë dollarë ndihma, 20 prej tyre në ndihmë ushtarake, të cilat mund të shtohen me kalimin e kohës.
Por marrëdhënia midis dy vendeve nuk ka qenë gjithmonë thjeshtë. Autoritetet enë Uashington shpesh herë edhe pse jo publikisht, janë ankuar për mos koordinimin në disa vendimmarrje, e fundit për sulmin ndaj urës në Krime, ose vrasja e vajzës së ideologut të Putin, Aleksandr Dugin.
Por shkëmbime të forta ka patur edhe mes dy liderëve, Joe Biden dhe Volodymyr Zelensky. Sipas kanalit amerikan NBC, që citon burime të brendshëm të administratës, në qershor debati shkoi deri në një përballje të ashpër dialektike.
Gjatë një telefonate ku Biden po njoftonte presidentin ukrainas se kishte vendosur për një shtim me një miliard dollarë ndihma, Zelensky kishte reaguar disi ftohtë, duke shtuar kërkesat e tij për armë, që në atë moment nuk kishin ardhur ende.
Një reagim që nuk i pëlqeu Biden i cili ngriti zërin duke i kujtuar zemërgjerësinë e popullit amerikan ndaj Ukrainës, për të cilën Zelensky duhet të tregonte mirënjohje, dhe jo kritika dhe kërkesa. (A2 Televizion)