Djali i Schumacher befason sërish, mposht Vettel | VIDEO

Nga A2 CNN
21 Janar 2019, 17:44 | Sporte të tjera
Djali i Schumacher befason sërish, mposht Vettel

Ende pa kaluar lajmi i bujshëm i përfshirjes së Mick Schumacher në Akademinë e Ferrarit, djali i legjendës Michael Schumacher regjistroi një fitore të bujshme përballë Sebastian Vettel.

Natyrisht jo në një garë zyrtare apo në një makinë të Formula 1, por padyshim një sukses simbolik për pasardhësin e 7-herë kampionit të botës. Triumfi erdhi në Meksikë, aty ku gjatë këtyre ditëve po zhvillohet Gara e Kampionëve, turneu ku konkurrojnë pilotë të mëdhenjtë së kaluarës, të së tashmes por edhe yje të së ardhmes të Formula 1 dhe garave rally.

https://youtu.be/-Rut_wCUSt0

Pas garës ekipore, bazuar në kombësinë e pilotëve, ku Schumacher i vogël dhe Vettel u pozicionuan në shkallën e dytë të podiumit, në cirkuitin meksikan nisën konkurrimet individuale. Sipas formulës, u krijuan katër grupe me nga 4 pilotë, duke krijuar një mini-kampionat, ku dy të parët kualifikoheshin në çerekfinale.

Fati donte që Mick Schumacher të pozicionohet në të njëjtin grup me Sebastian Vettel dhe gara ndërmjet tyre ishte vendimtare për të përcaktuar, se cili do të vazhdonte më tej. Kur të gjithë prisnin që piloti i parë i Ferrarit t’i jepte një mësim talentit të ri, finalja rezervoi surprizën e bukur: djali i legjendës Michael fitoi me afro 6 të dhjetat dhe tregoi se është gati të ndjekë gjurmët e të atit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos