Do të bashkëpunojë Rama me bashkitë e opozitës? Haxhimali: Ka qenë vetë kryebashkiak, nuk e lejonte si sjellje

Nga A2 CNN
17 Maj 2023, 22:36 | Ekonomi
Do të bashkëpunojë Rama me bashkitë e opozitës?

Këtë të mërkurë në A2 Business flasim për zhvillimin e bashkive pas zgjedhjeve të 14 majit.

Kryebashkiakët e rinj tashmë dihet se cilët do të jenë. Në kushtet e një zhvillimi ekonomik me pabarazi të forta mes veriut të vendit, një pjesë e të cilit do të administrohet në nivel vendor nga opozita dhe pjesës tjetër të Shqipërisë, që është në duart e socialistëve, si pritet të jetë e nesërmja e bashkive?

Rama ka paralajmëruar një bashkëpunim të vështirë me të zgjedhur vendor të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, duke sjellë si shembull Shkodrën, qëndresën e demokratëve, tashmë në duart e socialistëve.  

Por a ka vullnet qeveria për një bashkëpunim me drejtuesit vendor të opozitës?

Të ftuarit në studio shprehën kritika të ashpra për deklaratat e kryeministrit teksa theksuan se mes pushtetit qendror dhe atij vendor duhet të ketë mekanizma bashkëpunimi, llogaridhënie dhe përgjegjshmërie.

Enea Hoti, ekspert për pushtetin vendor thekson se çdo bashki e vendit, nëse do të ketë sukses, duhet të ketë harmonizim me planet dhe projektet kombëtare.

Ndërsa, Agron Haxhimali, drejtor i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë i cilësoi deklaratat e kryeministrit si skandaloze dhe të pafalshme.

“Ka qenë vetë kryetar bashkie, dhe nuk e ka pranuar këtë diskurs të kryeministrit. Po ia tolerojmë gjatë kohës së fushatës... Pas zgjedhjeve, si thua ta shoh si do sillen?  Bashkitë janë organe kushtetuese, marrëdhëniet mes tyre janë institucionale, paratë janë të qytetarëve.”

Kurse, Adelina Farrici, drejtore e Shoqatës për Autonomi Vendore, sugjeroi që bashkitë të mos i “mbajnë shpresat” vetëm te financimet qendrore, 61 bashkitë duhet të bëjnë skuadra profesionale që të përthithin sa më shumë financime nga të gjithë donatorët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos