Zemërimi për vrasjen e adoleshentit Nahel nga policia ka prodhuar trazirat më të mëdha të viteve të fundit në Francë, me qeverinë e Emmanuel Macron që po has në vështirësi për të kontrolluar valën e dhunshme të protestave.
Edhe pse një ndër masat e marra mbrëmë për të trajtuar krizën ishte vendosja e 45,000 policëve në rrugë dhe nxjerrja e mjeteve të blinduara, turmat nuk u ndalën në natën e 4-të të trazirave.
Teksa Franca po përgatitet për një ditë të pestë të mundshme përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, dëshmia e një prej miqve të 17-vjeçarit që ishte pasagjer në mjet i ka hedhur benzinë zjarrit.
Në audion që është shpërndarë gjerësisht në rrjet, miku i Nahel Merzouk tregon se agjentët kërcënuan me vdekje 17-vjeçarin përpara se ta qëllonin.
Sipas tij një prej oficerëve pak çaste para se i riu të qëllohej për vdekje, iu drejtua me fjalët: “Mos lëviz se do të fus një plumb kokës”.
Pasagjeri, i cili ishte me Nahelin në makinë thotë se po ndan versionin e tij të historisë për të nxjerrë në pah të vërtetën.
"Ka shumë gënjeshtra në rrjetet sociale dhe do të tregoj historinë nga A në Z", është shprehur ai.
Pasagjeri, i cili ndodhej në makinën me targa polake tha se ata e morën makinën hua dhe po ecnin rreth Nanterre, por nuk ishin nën ndikimin e alkoolit apo drogës.
Ai tha se ata ishin në një korsi autobusi kur vunë re policët me motoçikleta që i vinin pas, duke i ndaluar. Ai tha se një oficer erdhi në dritare dhe i tha Nahelit: “Fike makinën ose do të të qëlloj”.
Ai pretendon se oficeri po ashtu e ka goditur Nahelin me qytën e armës. Sipas tij oficeri i dytë tha: “Gjuaj”, para se i pari ta godiste përsëri me qytën e armës.
Oficeri i dytë, tregon ai, qëlloi më pas ndërsa Naheli vendosi këmbën në gaz.
“E pashë me dhimbje, u drodh. Ne goditëm një barrierë. Kisha frikë. Dola nga automjeti dhe ika. Mendova se mund të më qëllonin ndaj vrapova. Jam i tronditur nga ajo që i ndodhi para meje shokut tim”, përfundoi ai.
Rrëfimi i të riut vjen në ditën kur në Nanterre u zhvillua funerali i Nahelit.
Ceremonia mortore nisi mëngjesin e sotëm, me familjarë e miq të adoleshentit që shoqëruan arkivolin për në një xhami dhe më pas në varrezat e qytezës në periferi të Parisit.
Rrugët që të çonin në sallonin e funeralit dhe varreza u mbyllën nga forca të shumta policie.
Vdekja e Nahelit, e kapur në video, ka ringjallur ankesat e gjata nga komunitetet e varfra dhe të përziera racore për dhunën policore dhe racizmin në Francë, teksa Presidenti Macron ka mohuar kategorikisht se ka racizëm sistemik brenda agjencive franceze të zbatimit të ligjit. (A2 Televizion)