













Dubai njihet në mbarë botën si vendi i një arkitekture mahnitëse me rrokaqiej gjigantë, hotele luksoze dhe qendra tregtare madhështore. Por një nga atraksionet më të reja është edhe biblioteka "Mohammed Bin Rashid", e cila u hap në qershor. Një oazë soditjeje, ku vizitorët mund të kalojnë kohën duke lexuar, duke punuar ose duke studiuar dorëshkrime të rralla.
Ndërtimi i bibliotekës ka kushtuar 272 milionë dollarë dhe ka marrë emrin e sheikut Mohammed bin Rashid Al Maktoum, sundimtar i Dubait. Vizitorët do të kenë qasje me më shumë se 1.1 milionë libra të shtypur dhe digjitalë, 6 milionë disertacione, 73.000 partitura muzikore, 75.000 video, 35.000 revista ndërkombëtare dhe mbi 5000 periodikë historikë. Arkitektura e veçantë e bën godinën e bibliotekës të duket si një libër i hapur, por në fakt është frymëzuar nga një “rehal” që përdoret për të mbajtur librin e Shenjtë të Kuranit.
Dubai është parë gjithmonë si një qendër për biznesin, tregtinë dhe turizmin luksoz, por tani kjo ndërtesë ikonë po jep mesazhin se sfondi kulturor ekziston edhe në Dubai. Për të lehtësuar vizitat dhe për të tërhequr sa më shumë turistë, hyrja në bibliotekë është falas.
Biblioteka po ndërthur gjithashtu traditën me teknologjinë. Përveç koleksionit të librave të shtypur, ajo është shndërruar në një bazë të dhënash me mijëra tituj digjitalë që mund të shkarkohen lehtësisht. Gjithashtu, nuk mungojnë as librat për lexuesit që nuk shikojnë apo kanë nevoja të veçanta.
Një seksion i veçantë dhe që ngjall shumë interes është seksioni Thesaret e Bibliotekës Mohammed Bin Rashid, ku gjenden gjëra të rralla. Më shumë një muze sesa një bibliotekë, koleksioni përfshin dorëshkrime të rralla, mjete kaligrafie dhe botimet e para të veprave të mëdha letrare, disa prej të cilave datojnë që në shekullin e 13-të. Në seksionin e hartografisë ndodhet një hartë e Gadishullit Arabik e vitit 1662 nga hartuesi holandez, Joan Blaeu. (A2 Televizion)