
Në fillim të javës, qeveria Rama ngriti duart përballë rritjes së çmimit të naftës, duke dhënë këshilla për qytetarët se si të mos e përdorin makinën, pasi nuk mund të ndërhynin në treg dhe nuk mund të reduktonin taksat. Pas tri ditëve protestë, situata është tjetër. Kryeministri iu kërkoi furnitorëve të karburanteve në vend, që të mësohen të fitojnë më pak në këtë periudhë. Qeveria ngriti një bord mbikëqyrës kontrolli me anëtarë nga qeveria dhe tregtarët.
“Për këtë periudhë kohe, duhet të mësoheni të rezistoni dhe jo të fitoni”.
Ishte kjo porosia që kryeministri Rama u dha furnitorëve të naftës në vend, në një takim të detyruar pas dyshimeve për rritje spekulative të çmimeve. E për t’u siguruar që fjala e tij do të zbatohej, ai njoftoi ngritjen e një bordi mbikëqyrës kontrolli.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë paralajmëroi tregtuesit me shumicë e pakicë të përdorin rezervat e hidrokarbureve, ashtu siç ligji e parashikon.
Akti Normativ që do të hyjë në fuqi brenda ditës së nesërme do të jetë me afat 2-mujor, me mundësi rinovimi, sipas dinamikës së situatës. Ndërkohë, Bordi Kombëtar i Furnizimit me Naftë, do të përbëhet nga 10 anëtarë, 5 nga qeveria e 5 nga furnizuesit. (A2 Televizion)