
Koha e zgjedhur nga Policia e Tiranës për të kërkuar rihetim të dosjes “21 janari” vetëm pak orë para 10 vjetorit të ngjarjes, konsiderohet si e pakuptimtë nga juristi Sokol Hazizaj.
“Unë ende nuk e konceptoj dot që strukturat e shtetit, Policia e Shtetit të kujtohet vetëm një ditë përpara ngjarjes së 21 janarit. Nuk mendoj se ngeli për datën 20”, u shpreh Hazizaj.
Sipas Hazizajt, kjo ndërmarrje e policisë, s’është gjë tjetër veçse përdorim i kësaj strukture nga politika.
“Më vjen shumë keq që policia, në kuptimin e cenimit të besimit të publikut mbi të, bëhet pjesë e arenës politike. Dyshoj në një motiv të drejtë të bërë nga ky organ për të stimuluar një hetim të ri”, shtoi juristi.
Eksperti i drejtësisë e vlerëson të vështirë rihapjen e çështjes, kjo jo vetëm për shkak të kushteve të nevojshme ligjore, por edhe për shkak të përfshirjes së politikës.
“Vetëm një provë e re mund ta trondisë një proces, të tjerat pastaj janë fjalë kot”, përfundoi Hazizaj. (A2 Televizion)