“Ndiqni provat, ndiqni paranë!” Eric Wendt: Vendosni pa ndikim, jo sipas pozicionit e lidhjeve

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2026, 16:08 | Aktualitet

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, u kërkoi strukturave të posaçme të drejtësisë të ndjekin gjurmët digjitale dhe financiare të korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa u ndikuar nga pozicioni apo lidhjet e personave nën hetim. Në një seminar me drejtuesin e SPAK-ut, Klodian Braho, kreun e BKH-së, Joni Keta, si dhe me gjyqtarë, prokurorë dhe hetues, diplomati amerikan e lidhi luftën kundër korrupsionit edhe me klimën e investimeve në Shqipëri.

“Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike.”

Wendt tha se kompanitë amerikane duan të investojnë në sektorët e energjetikës, infrastrukturës, turizmit dhe teknologjisë. Por, sipas tij, ato kërkojnë siguri se kontratat do të respektohen, tenderat do të jenë të drejtë dhe ligji do të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Ambasadori u ndal edhe te lidhjet ndërkombëtare të grupeve kriminale shqiptare. Ai theksoi se rrjetet që trafikojnë kokainë drejt Evropës e sigurojnë drogën nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që veprojnë kundër interesave dhe sigurisë së Shteteve të Bashkuara.

“Çdo kontejner që sekuestroni, çdo llogari bankare që bllokoni dhe çdo kryetar krimi që sillni para drejtësisë iu heq karteleve paratë dhe pushtetin. Dhe, çdo rrjet që çmontoni na bën të gjithëve më të sigurt: Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë. Ligjzbatuesit amerikanë do të vazhdojnë t’i luftojnë këto rrjete, por veprimet shqiptare nënkuptojnë se atyre nuk u duhet të luftojnë vetëm.”

Paratë kriminale, sipas ambasadorit, lëvizin përmes bankave, kompanive guaskë, llogarive jashtë vendit dhe platformave të kriptomonedhave. Trafikantët përdorin aplikacione të enkriptuara, ndërsa zyrtarët e korruptuar mund t’i fshehin ryshfetet në portofole digjitale. Për këtë arsye, Wendt kërkoi që hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët të forcojnë aftësitë për identifikimin, sigurimin dhe vlerësimin e provave digjitale.

“Shumë krime të rënda lënë një gjurmë digjitale. Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave. Ndiqni provat. Ndiqni paratë. Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm te provat dhe ligji, kurrë në bazë të pozicionit, lidhjeve apo rëndësisë së një personi, me agjencitë tuaja apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm i papërshtatshëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush."

Ai paralajmëroi se të dhënat elektronike mund të zhduken brenda pak ditësh dhe se një kërkesë e shpejtë për ruajtjen e tyre mund të shpëtojë një çështje penale. Një pjesë e këtyre provave ndodhet në serverë dhe platforma të kompanive amerikane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos