
Pas përjashtimit nga Asambleja dhe nga grupi i PS, Elisa Spiropali gjeti guximin për të dalë nga guacka e rrjeteve të saj sociale. Për vendimet e shokëve dhe shoqeve të saj, siç i thonë socialistet njëri-tjetrit, përdori Kuvendin, një institucion që e ka drejtuar me besimin e Edi Ramës, për t’u zbrazur për herë të parë në një konferencë për shtyp me gazetarët.
E përjashtojnë, por ajo refuzon të ikë nga Partia dhe nuk e dorëzon as mandatin si deputete.
E vetme përballë një partie që duartroket kryetarin, Elisa Spiropali i hodhi dorashkën e sfidës Edi Ramës dhe jo vetëm atij. Kërkon garë për drejtimin e selisë rozë, duke gjetur vetëm tani defektet e statutit dhe mungesën 17-vjeçaretë zgjedhjeve për kryetar.
Por sa mundësi reale ka ajo të sfidojë Ramën, kur asnjë deputet apo ish deputet nuk e mbështet publikisht.
Akuzon kryefamiljarin e shtëpisë së saj politike se për pushtet ka përdorur të gjitha mekanizmat ligjorë dhe jo ligjorë. Mendon edhe se mund ta rrëzojë Edi Ramën, por përsëri tenton të mbajë një derë hapur tek ai, edhe pse kryesocialisti i ka vënë vulën përjashtimit të saj.
Nëse partia nuk pranon të reformohet, Sipiropali që PS duhet të kalojë në opozitë. Rotacionin politik e lidh si nevojë për të mos rrezikuar integrimi në BE.
Si të gjithë socialistët në fillimet e proceseve hetimore foli pozitivisht për SPAK, ndërsa paralajmëroi klanet brenda partisë që ambicien politike nuk mund t'ia mbyllin me drejtësinë.
Në përfundim të konferencës Elisa Spiropali nuk e sheh këtë situatë si një “vdekje” politike të saj, por si përgatitjet e një dasme të madhe. (A2 Televizion)