Trump synon marrëveshje të reja tregtare në G20, tarifat bëhen presion ndaj vendeve partnere

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2026, 16:24 | Bota

Trump synon marrëveshje të reja tregtare në G20, tarifat

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të shfrytëzojë samitin e ardhshëm të G20-ës në Miami për të siguruar marrëveshje të reja tregtare, ndërsa tarifat e reja mund të shërbejnë si një instrument presioni ndaj vendeve që ende nuk kanë arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.

Trump i ka konsideruar vazhdimisht tarifat si një mjet për të nxitur partnerët ndërkombëtarë të negociojnë dhe të pranojnë marrëveshje tregtare me Uashingtonin. Edhe pse administrata amerikane e ka paraqitur nismën e fundit si pjesë të një hetimi mbi mbiprodhimin, koha e shpalljes së saj shihet si domethënëse, në prag të samitit të G20-ës.

Shtëpia e Bardhë shpreson që këto masa të rrisin ndikimin negociues të presidentit dhe të hapin rrugën për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja gjatë samitit.

Një strategji të ngjashme Trump ndoqi edhe në samitin e ASEAN-it javën e kaluar, ku tregtia ishte në qendër të diskutimeve. Atje, ai njoftoi paraprakisht marrëveshjet me Filipinet dhe Tajlandën, përpara përfundimit të plotë të procedurave.

Ndërkohë, vendet që kanë arritur tashmë marrëveshje tregtare me SHBA-në pritet të ndikohen më pak nga tarifat e reja. Komisioni Evropian ka bërë të ditur se për Bashkimin Evropian do të vazhdojë të zbatohet kufiri tarifor prej 15%, i rënë dakord më herët mes presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Donald Trump.

Për rrjedhojë, masat e reja duket se synojnë kryesisht vendet që ende nuk kanë përfunduar negociatat tregtare me Uashingtonin.

Një zyrtar i lartë amerikan është shprehur se administrata nuk pret që njoftimi i tarifave të shkaktojë tensione gjatë samitit të G20-ës. Përkundrazi, sipas tij, këto zhvillime mund të krijojnë kushte për arritjen e marrëveshjeve të tjera.

“Ne presim që të mund të nënshkruajmë më shumë marrëveshje në G20 pas këtyre njoftimeve”, deklaroi zyrtari amerikan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos