Doza përforcuese, rregullatori amerikan e aprovon për disa kategori

Nga A2 CNN
23 Shtator 2021, 10:22 | Bota
Doza përforcuese, rregullatori amerikan e aprovon për disa kategori

Aplikimi i një doze përforcuese për vaksinën anti-covid të Pfizer merr dritën jeshile nga rregullatori amerikan, por vetëm për disa kategori të caktuara të popullatës. Vendimi erdhi nga Administrata për Ushqimet dhe Ilaçet, FDA, dhe është i vlefshëm për personat mbi 65 vjeç dhe për më të rrezikuarit nga Covid-19.

Në këtë kategori bëjnë pjesë punonjësit e shëndetësisë, mësuesit, shitësit, punonjësit e azileve dhe burgjeve. Pfizer kërkoi për aprvoim të plotë për një dozë të tretë për të gjithë qytetarët mbi 16 vjeç, të cilët kanë marrë dy doza të vaksinës, duke theksuar se ka prova që imuniteti bie me kalimin e kohës.

Aktualisht rreth 2.3 milionë amerikanë kanë marrë një dozë përforcuese për të luftuar koronavirusin. FDA po shqyrton dhe aplikimin e Modernës dhe Johnson and Johnson për përdorimin e një doze shtesë.

Duke qëndruar tek lufta ndaj pandemisë, një studim i ri ka zbuluar se ilaçi Remdesivir, redukton ndjeshëm shtrimet në spitale për pacientët me rrezik të lartë nga Covid-19. Medikamenti është testuar në mbi 500 njerëz. Remdesivir, ishte ilaçi i parë I aprovuar nga Administrata Amerikane për Ushqimet dhe Ilaçet, për të trajtuar pacientët me koronavirus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos