Drafti i opozitës në Këshillin Politik, Meta: Çdo akt i njëanshëm që përmbys “5 qershorin” është atentat

Nga A2 CNN
28 Shtator 2020, 13:38 | Politikë
Drafti i opozitës në Këshillin Politik, Meta: Çdo akt i

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur draftin me propozime që opozita e bashkuar ka dorëzuar në Këshillin Politik, sa i përket ndryshimeve në kodin zgjedhor.

“Drafti i paraqitur nga opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja. Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe marrëveshjen e 5 qershorit. Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve”, shkruan presidenti në Facebook.

Sipas tij, opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyçe që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.

“Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit”, thotë Meta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos