
Komisioni i ligjeve diskutoi dhe miratoi në parim ndryshimet në kodin zgjedhor. Mbledhja u shoqërua me debate pasi opozita parlamentare akuzoi mazhorancën për kompromis me opozitën jashtëparlamentare.
Të gjitha propozimet për të ndërhyrë në ligjin elektoral të depozituara që nga janari do të merren në shqyrtim dhe të martën do të diskutohen nen për nen në një draft integral.
Drafti i socialistëve parashikon që deputetët të zgjidhen sipas listave të hapura, por kryetari të jetë ai që përcakton listën dhe renditjen. Më pas, votat preferenciale të përbëjnë renditjen përfundimtare të listës.
Është edhe propozimi i opozitës parlamentare, që kërkon një renditje nga kryetari në 1/3, ndërsa pjesa tjetër sipas votave që marrin nga elektorati.
Ndërkohë, në 13:30 nis punën komisioni i posaçëm edhe për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së. (A2 Televizion)