
Në kohën kur Gjykata e Lartë, e dalë tërësisht jashtë funksioni, numëron 32 mijë dosje që presin gjykimin, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka një afat të caktuar për ringritjen e saj. Aktualisht KLGJ ka në proces verifikimi emrat e 8 kandidatëve jo gjyqtarë, për 4 vende të lira dedikuar juristëve të spikatur.
“Këshilli që në hapat e tij të parë të krijimit është marrë intesivisht me përbërjen funksionale të Gjykatës së Lartë. Është e pritshme që shumë shpejt, brenda nëntorit në të kemi përfundimin e fazës së parë, që do të thotë përfundimin e verifikimit të pasurisë dhe figurës dhe më pas do të kalojmë në fazën e dytë që do të thotë renditja në bazë të pikëzimit dhe kritereve profesionale” , deklaroi kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami.
Para Komisionit të Pavarur që mbikëqyr Reformën në Drejtësi, titullarja e KLGJ foli në kohën e ardhme edhe për planin konkret të menaxhimit të dosjeve të pashqyrtuara të Gjykatës së Lartë.
“Po në këtë periudhë këshilli do të hapë dhe vendet vakante për pjesën tjetër që përbëjnë këtë gjykatë që janë pjesa nga gjyqësori”, shtoi Llagami.
Gati një vit nga nisja e funksionimit, KLGJ nuk ka të dhënanë lidhje me korrupsionin në sistem.
“Kjo është çështje perceptimi në fakt dhe nuk arrijmë dot të vlerësojmë në një situatë konkrete që ne do të mundësojmë sondazhe për të mësuar në mënyrë konkrete kush është perceptimi i publiku”, tha Llagami.
Në lidhje me Gjykatën e Posaçme, që do të gjykohë dosjet e SPAK-ut, Llagami tha se KLGJ ka marrë pëlqimin për emërim të përkohshëm në këtëgjykatë të 13 gjyqtarëve aktualë të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe 8 të Apelit. (A2 Televizion)