
Në galerinë e Arteve “Kalo” në Memaliaj, artistja hungareze Judit Szendrei sjell kolazhe artistike të krijuara përmes pullave postare, duke formuar portrete, objekte dhe rrëfime figurative. Me to ajo krijon portrete, objekte dhe histori.
Pullat janë më shumë sesa elementi i shërbimit postar. Ato shërbejnë edhe për njohjen e botës, vendeve, kulturave, personaliteteve, përmes imazheve që ato përcjellin. Rëndësia e tyre në komunikimin e përditshëm, ka nxitur artisten hungareze Judit Szendrei, që të çelë një ekspozitë me elementë të këtyre pullave në qytetin e Memaliajt.
Arti i saj krijon një lidhje mjaft interesante mes dy formave të komunikimit: komunikimit tradicional përmes postës dhe komunikimit figurativ, përmes artit. Por kur këtyre dy dimensioneve ajo u shton edhe atë të misionit humanitar duke mbështetur kauzën e sindromës Down, pullat postare marrin edhe një vlerë tjetër: solidaritetin.
Nga komunikimi tek arti, nga arti tek solidariteti-kjo është trajektorja që ndjek pulla postare kur atë e merr në dorë Judit Szendrei. Për një prej organizatorëve të këtij eventi avokatin e njohur Përparim Kalo, artistja hungareze ka pasqyruar përmes pullave postare, një dimension human siç është dhe Sindroma Daun.
Ndërkaq kryetari i Bashkisë Memaliaj Alebrt Malaj vuri në dukje lidhjet e hershme të shqiptarëve dhe hungarezëve apo dhe veprimtarinë e tyre ekonomike në Shqipëri. Ekspozita e artistes hungareze Judit Szendrei, u organizua nga Bashkia e Memaliajt mbështetur nga Ambasada e Hungarisë në Tiranë. (A2 Televizion)