
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka rrëzuar kërkesën e Lulëzim Pepës, Fatjon Markut, Aleks (Shkëlqim) Pepajt dhe Ilir Lazrit për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë.
Ata akuzohen si pjesë e një grupi kriminal përgjegjës për trafikimin e 7.5 tonëve kokainë nga Amerika Latine në Europë.
Sipas njoftimit të GJKKO-së, 4 të pandehurit kishin depozituar më 5 nëntor kërkesën në gjykatë, duke kërkuar gjithashtu që Prokuroria të paraqiste informacion me shkrim mbi hetimet e kryera dhe nevojat për vijimin e masës së sigurimit.
Pas shqyrtimit të kërkesës, trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarja Alma Kodraliu, vendosi rrëzimin e kërkesës për ndryshimin e masës së sigurisë.
Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet gjyqësore t'u lihen në ngarkim kërkuesve.
Kundër këtij vendimi, katër shtetasit kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda pesë ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Kërkuesit Lulëzim Pepa, Fatjon Marku, Aleks (Shkëlqim) Pepaj dhe Ilir Lazri, më datë 05.11.2026, kanë paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:
1. Detyrimin e organit të prokurorisë që të paraqesë informacion me shkrim pranë gjykatës që ka caktuar masën e sigurimit, mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit.
2. Zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar ndaj shtetasve Lulëzim Pepa, Fatjon Marku, Aleks (Shkëlqim) Pepaj e Ilir Lazri, dhe caktimin e një mase sigurimi më të butë.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Alma Kodraliu, me vendimin nr. 995, datë 13.11.2026, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës për ndryshimin e masës së sigurimit.
2. Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim kërkuesve.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 13.11.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (A2 Televizion)