
Nëse i njihni tingujt e veçantë nga muzika shqiptare, atëherë e keni kuptuar se personazhi që po sjellim përmes ekranit të A2 Cnn është muzikanti Dren Abazi.
Bisedën me të e nisin për koncertin e kësaj jave në Pezë, ku takimi me dashamirësit e muzikës së tij duket se ka shkuar mirë.
I inspiruar është edhe këtë muaj Dren Abazi, nga publiku shqiptar që e ka pritur ngrohtë kantautorin që i ka munguar skenës këtu. Dhe ndonëse e pyesim për periudhën e vështirë të izolimit, ai preferon të thotë se “është mirë të ecim përpara e ku ka më mirë se sa me muzikë”.
Dren Abazi u bë i njohur që me produksionin e parë. “Jorgjica” tërhoqi vëmendjen e të gjithëve teksa interpretohej nga ai dhe Zig Zag Orchestra. Prej më shumë se 10 vitesh, këngët e tij vijojnë të zgjojnë të njëjtin impakt në publik, ndaj Dreni nuk i shpëton dot pyetjes se si ia bën të na prezantojë me muzikë që nuk njeh kohë.
“Unë nuk kam qenë asnjëherë peng i trendëve muzikore dhe muzikës fast food, që harrohet brenda natës, është e rëndësishme sepse krijimi i artit ka të bëj me të qënurit rehat me vetveten, sepse publiku ndjen këtë, dhe të bashkohet”, thotë ai për A2.
Kënga e tij më e fundit është “Hana” e në këtë takim me dashamirësit e muzikës së tij nuk kish si të mungonte edhe ky produksion që mban firmën e tij.
“Hana” vërtet nuk është asgjë personale, por bisedën duam ta orientojmë edhe te personalja e Dren Abazit, ndonëse e dimë që ai mund të tregohet i rezervuar. Edhe pse nuk zbuloi asgjë. Skena që e pret, bashkë me miqtë e tij, fton muzikën të jehojë sërish e me të njëjtin entuziazëm i fton të gjithë të shijojnë lirinë dhe shijen e muzikës së mirë. (A2 Televizion)