
Pas Emiljano Shullazit, nga qelitë e burgut, burimin e pasurisë duhet ta deklarojë edhe Dritan Dajti. Brenda 48 orësh pyetjeve të operacionit forca e ligjit duhet t’i përgjigjet edhe Xhevdet Troplini, i dënuar për trafik droge.
Dritan Dajti, të cilit iu hoq burgimi i përjetshëm për vrasjen e 4 policive në vitin 2009, tashmë duhet të përgjigjet për pasurinë. 48-vjeçari që ndodhet pas hekurave duke vuajtur dënimin me 25 vite duhet të justifikojë burimin e të ardhurave duke iu përgjigjur pyetjeve me shkrim të operacionit forca e ligjit.
Dajti u rikthye në vëmendjen e publikut dhe institucioneve shkurtin e vitit të kaluar kur një trupë gjykuese e Apelit të Krimeve të Rënda, e përberë nga gjyqtarë të deleguar nga apelet në rrethe i pranoi gjykimin e shkurtuar duke i hequr burgimin e përjetshëm dhe dënuar përfundimisht me 25 vite.
Ndërkohë, formulari i vetdeklarimit i është dërguar edhe Xhevdet Troplinit me banim në Durrës dhe i dënuar për trafik narkotikësh. I njohur edhe me nofkën “Poja”, ai zotëron disa biznese dhe aktivitete tregtare, ndërsa në 2006 është arrestuar për trafik heroine.
Familja e tij njihet për influencën në Portin e Durrësit, ndërsa një ditë më parë policia i verifikoi edhe automjetin e blinduar që zotëron.
Formulari për vetdeklarimin e pasurisë u është dërguar 15 personave të njohur të botës së krimit, ndërsa në kushtet e emergjencës janë sekuestruar biznese e prona në Shijak dhe Shkodër si dhe disa automjete të blinduara. (A2 Televizion)