
Një sasi prej 336 gramë kanabis u trafikua nga Anglia në Shqipëri përmes pakove postare. Mënyra e pazakontë e trafikimit të drogës u godit të enjten nga operacioni policor i koduar “Green mail 2”, “Postajeshile 2”, gjatë së cilit u sekuestrua droga dhe u prangosën dy 18-vjeçarët Mariglen Vata dhe David Shehu, si pritësit e saj në Shqipëri.
Rasti u hetua nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Postën Shqiptare, si edhe autoritetet britanike të drejtësisë. Në hetimin e drejtuar nga prokurori Bledar Valikaj u përdorën metoda speciale të dorëzimit të kontrolluar, vëzhgimit dhe gjurmimit në terren.
Referuar hetimit pakot e dërguara me postë nga “çunat e Londrës” në Mbretërinë e Bashkuar kanë mbërritur fillimisht në Tiranë. Me tej, nën mbikëqyrjen e policisë ato janë transportuar në destinacionin fundor, filialin e Postës në lagjen nr. 13 në Durrës.
Sipas Prokurorisë, pritësi i lëndës narkotike ishte Mariglen Vata, banor i kryeqytetit. Për t’i tërhequr pakot dhe sjellë ato nga Durrësi në kryeqytet ai ka dërguar bashkëmoshatarin David Shehu. Pasi i ka tërhequr, ai është arrestuar në flagrancë nga policia teksa udhëtonte me një taksi tek rrethrrotullimi i Plepave në Durrës. Prokuroria do të vijojë hetimin për të verifikuar nëse ka pasur episode të tjera të ngjashme dhe të identifikojë personat e përfshirë, apo rasti ishte vetëm një test për të provuar suksesin e një metode të tillë për trafikun e drogës. (A2 Televizion)