​Drogë në pastën e dhëmbëve

Nga A2 CNN
29 Prill 2023, 22:00 | Bota
​Drogë në pastën e dhëmbëve

Policia në Vietnam njofton se ka arrestuar 65 persona për trafikimin e 50 kilogramë drogë të fshehura në pastë dhëmbësh. Arrestimet u bënë pasi katër punonjës të linjave ajrore të Vietnamit u arrestuan muajin e shkuar me tubeta paste dhëmbësh në bagazhet e tyre, pas një fluturimi nga Parisi për në Ho Chi Minh.

Policia tha se arrestimet e kësaj jave vijnë pas zbulimit të gjashtë dërgesave të narkotikëve të futura në Vietnam në të njëjtën mënyrë. Sipas BBC, që citon mediat vendase, të ndaluarit po hetohen për krime të ndryshme si: shitje, blerje dhe magazinim narkotikësh.

Të dyshuarit drejtoheshin nga i njëjti rrjet që kishte rekrutuar dhe punonjësit e fluturimeve. Autoritetet thanë më herët se më shumë se gjysma e 327 pastave të dhëmbëve që transportoheshin nga punonjësit e fluturimit, ishin të mbushura me droga të jashtëligjshme.

Punonjësit e dyshuar dëshmonin se “nuk ishin në dijeni” të përmbajtjes së tubetave të pastës së dhëmbëve. Prandaj hetuesit kanë thënë deri tani se “nuk ka bazë të mjaftueshme” për t’i akuzuar për trafik droge.

Ata shtojnë se trafikantët gjithashtu përdorin studentë vietnamezë që studiojnë jashtë vendit, kryesisht në Francë për të sjellë drogat në vend. Pas mbërritjes në aeroportin e Vietnamit, drogat transportoheshin me shërbime shpërndarjeje në Dong Nai, provinca pranë Saigon.

Megjithëse Vietnami ka disa nga ligjet më të ashpra në botë për drogat, vendi është një pikë kryesore e trafikut të ndaluar aziatik. Kujtojmë se, për zotërimin e 600 gramëve heroinë ose 2.5 kg metamfetaminë, në Vietnam jepet dënimi me vdekje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos