
Dropulli në Gjirokastër është një nga zonat që po përjeton shpopullimin më të madh të zonës. Të rinjtë nuk duken më në fshatrat e zonës, ndërsa nxënësit numërohen me gishtat e njërës dorë.
Vetëm dy shkolla në 41 fshatrat e Dropullit, që dikur kishte 43 shkolla 8-vjeçare dhe tre të mesme. Kënde lojërash që nuk kanë kë të argëtojnë dhe shkolla që po kthehen në gërmadha, janë ajo që shpopullimi ka lënë pas në Dropull.
Një prej arsimtarëve të zonës tregon për mikrofonin e A2 CNN dhimbjen që ndjen kur shikon këtë realitet. “Është gjëja më e mërzitshme për ne që kemi kaluar kaq vjet në arsim. Të vjen për të qarë. U boshatisëm, u shkatërruam dhe nuk mbeti asgjë në këmbë”, thotë Dhimitër Harito, ish-arsimtar në Dropull.
Të moshuarit shijojnë rrezet e diellit, ndërsa nuk kanë shumë fjalë kur I pyet se përse zona është braktisur në këtë mënyrë. “Nuk bëjnë fëmijë, se nuk kanë me se t’i ushqejnë”, thotë një banor. “Tek-tuk në ndonjë fshat mund të ketë ndonjë të ri. Nuk ka kush të punojë në bujqësi”, thotë një tjetër.
E ndërsa realiteti është mjaft i hidhur e ardhmja nuk premton asgjë të mirë. (A2 Televizion)