"Duam të hyjmë në NATO", Suedia dhe Finlanda konfirmojnë vendimin historik

Nga A2 CNN
16 Maj 2022, 11:33 | Bota
"Duam të hyjmë në NATO", Suedia dhe Finlanda

Suedia dhe Finlanda konfirmuan se do të aplikojnë për anëtarësim në NATO, në një ndryshim historik të politikë së mbrojtjes i nxitur nga lufta ruse në Ukrainë.

Në Stokholm, social-demokratët në pushtet thanë se kishin mbështetur bashkimin me aleancën ushtarake, duke i hapur rrugën kërkesës për anëtarësim.

Suedia qëndroi neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për dy shekuj ka shmangur bashkimin me grupime ushtarake. Një aplikim zyrtar pritet brenda pak ditësh, por social-demokratët e bënë të qartë se kundërshtonin stacionimin e armëve bërthamore apo bazave të NATO në vendin e tyre. 

“Sot, partia social-demokrate vendosi se Suedia duhet t’i bashkohet NATO. Politika jonë 200-vjeçare e neutralitetit ushtarak i ka shërbyer mirë Suedisë deri më tani, por çështja është a do të na shërbejë edhe në të ardhmen. Agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë është jo vetëm i paligjshëm, por minon rendin europian të sigurisë ku mbështet edhe Suedia”, tha Magdalena Andersson.

Kryeministrja shtoi se Suedia do të ishte në pozicion të cenueshëm nëse do të mbetej i vetmi vend në rajonin e Baltikut jashtë NATO-s.

Njoftimi vjen pak pasi Finlanda njoftoi se do të aplikonte për t’ju bashkuar aleancës veri-atlantike. Vendi ndan një kufi prej 1300 km me Rusinë dhe deri më tani kishte qëndruar jashtë NATO-s, për të mos zemëruar fqinjin lindor.

Teksa bëri të ditur atë që e quajti vendim historik, presidenti Sauli Niinisto tha se kishte informuar më herët edhe shefin e Kremlinit, Vladimir Putin. 

Putin paralajmëroi më herët Finlandën se anëtarësimi në NATO do të ishte një gabim, dhe përmendi qëllimet e Ukrainës për ta bërë diçka të tillë, si një prej arsyeve të operacionit ushtarak.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, të cilët u takuan në Berlin si pjesë e një samiti të ministrave të Jashtëm, thanë se kishin besim se do të tejkalonin kundërshtitë e Turqisë për anëtarësimin e dy vendeve.

Turqia, akuzon Suedinë dhe Finlandën se kanë mbështetur Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit që lufton prej dekadash kundër qeverisë.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos