
Kandidati për kreun e SPAK, Altin Dumani, teksa u pyet nga juria e KLP-së se çfarë do të bënte ai ndryshe nëse merrte drejtimin e këtij institucioni, u shpreh se të tre ata janë prokurorë të kualifikuar, ndaj sipas tij, kushdo që të jetë fituesi, ata sërish janë kolegë dhe miq.
“Çfarë do bëja ndryshe? Jemi tre prokurorë të kualifikuar për të marrë këtë detyrë. Besoj secili prej nesh ka cilësi individuale dhe një bilanc punë. Bilanci është me çështje, me autorë veprash, me pasuro të sekuestruara. Ne jemi miq dhe shokë, paçka se cili do jetë drejtuesi, ne sërish do jemi kolegë dhe miq.”
Altin Dumani
“Nga viti i parë e deri më sot unë kam treguar një angazhim maksimal për të hetuar, për të provuar akuzat. Kam treguar qëndrueshmëri. Garancia ime, nëse do jem drejtues, është pikërisht kjo që unë kam ndërtuar deri tani. Jam përpjekur të jem prokuror modest, i përulur, i pacenueshëm nga asnjë lloj vesi, ves procedural e kam fjalën. Me një përkushtim maksimal dhe i aftë për të formuar frymën e grupit, por në vitin 2007 si drejtues i Task – Forcë, “Transparency International” ka bërë rankimin më të mirë të Shqipërisë ndër vite.”
Altin Dumani
Pyetje: Thatë që nuk kanë rëndësi emrat, por provat. Nëse mund të ma jepni me një përqindje, sa rëndësi ka emri, duke njohur dhe pikat e dobëta të institucionit?
Dumani: zero për qind. Për mua nuk ka rëndësi fare. Për këtë janë dëshmitarë kolegët. Në zyrën time erdhi një rast kur një hetues relatoi një emër të caktuar. Shprehimisht ka qenë kjo që i kam thënë: Unë pres që ti nesër të vish të më arrestosh mua në zyrë, nëse emri im del aty. Unë e kam pasion punën që bëj. (A2 Televizion)