
Në korrik të vitit 2019, ekzistonte një aleancë e vetme për mbrojtjen e Teatrit. Ishte aleanca e madhe ajo që nënshkroi me Lulzim Bashën një kontratë. Sot për mbrojtjen e këtij teatri kemi dy pjesë të aleancës, atë të vëllezërve Budina që po kujdesen tanimë për rindërtimin e teatrit aty ku ishte dhe siç ishte dhe aleancën tjetër që kërkon ndryshime që në sistemin politik.
Nga ana tjetër regjisori Kastriot Çipi, në një intervistë për “Ditari” në A2, deklaroi se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit aktualisht ka përpara një betejë të madhe, atë për demokraci.
“Kemi një betejë të madhe: Betejën për demokraci. Bindja ime absolute ka qenë se Teatri nuk shpëtonte pa rrëzuar diktaturën, as rindërtimi i Teatrit nuk mund të bëhet për sa kohë kemi këtë diktaturë në pushtet. Imediate është lufta për të rikthyer demokracinë në Shqipëri, për të pasur një sistem zgjedhor që i jep të drejtë qytetarit që të zgjedhë kandidatin që do. Pse jo, të kemi edhe ndërhyrje të thella në Kushtetutë që të mund ta kthejnë Shqipërinë në vend normal demokratik”, u shpreh Çipi.
Pra, ndërsa një pjesë e aleancës kërkon të rindërtojë njëlloj ndërtesën e shembur dhe që ndryshimi të vijë nga drejtësia, pjesëtarë të tjerë të asaj çka ishte dikur një aleancë e vetme, kërkojnë që ndryshimi të vijë nga politika. (A2 Televizion)