Deportimi i turqve, OKB i kërkon sqarime qeverisë shqiptare

Nga A2 CNN
26 Maj 2020, 16:29 | Aktualitet
Deportimi i turqve, OKB i kërkon sqarime qeverisë shqiptare

OKB i ka adresuar disa pyetje qeverisë shqiptare për arrestimet dhe ekstradimet e dyshuara si të paligjshme ndaj shtetasve turq Çelik e Simsek.

Ekstradimi me aksion policor në orët e para të mëngjesit të datës një janar u kritikua nga opozita, por edhe nga Brukseli kur dy shtetasit turq, njëri prej të cilëve mësues, u deportuan nga aereoporti i Rinasit.

Me anë të një komunikimi zyrtar përcjellë qeverisë shqiptare më 20 mars nga grupi i punës i OKB-së, raportuesi i Posaçëm i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut kërkon informacion mbi dëbimin e Harun Çelik në Turqi dhe rrezikun që ekziston për zhdukjen e Selami Şimşek dhe dëbimin e tij të paligjshëm drejt Stambollit.

Ende nuk dihet nëse nga ana e qeverisë shqiptare ka një përgjigje ndërsa në komunikimin e tyre raportuesit e OKB-së kërkojnë sqarime dhe informacion shtesë mbi deportimin e dy turqve. Sipas OKB dy personave iu është mohuar e drejta e mbrojtjes ligjore, por edhe aplikimi i tyre për azil. Gjithashtu, Kombet e Bashkuara kërkojnë dhe bazën ligjore sipas së cilës është bërë deportimi tyre.

Komunikimi zyrtar përcjellë qeverisë shqiptare nga organet për të drejtat e njeriut mbi shtetasit turq pason vendimin e ndërmjetëm të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së të datës 9 janar 2020. Sipas atij vendimi qeverisë shqiptare i kërkohej të mos e kthejë Selami Şimşek në Turqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar mbi këtë rast nga ky komitet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos