Hetimi peng i "shënjestrës", Gentian Bejtja kërkohet të dëshmojë për atentatin në Larushk

Nga A2 CNN
25 Gusht 2023, 11:18 | Kronikë
Hetimi peng i "shënjestrës", Gentian Bejtja kërkohet

Përgjatë dy muajve hetim për atentatin e ndodhur para banesës së Gentian Bejtjes në Larushk të Krujës, grupi i hetimit nuk ka mundur të marrë dëshmie e vetë Bejtjes, i dyshuar si “shënjestër”.

Kjo për faktin se Bejtja nuk është paraqitur në polici e as nuk është mundur të kontaktohet nga autoritetet pas ngjarjes ku mbeti i vrarë kunati i tij, Ramazan Sino dhe iu plagosën dy fëmijët e mitur.

Për shkak të rëndësisë që ka marrja e dëshmisë së Bejtjes, policia e shtetit ka kryer së fundmi disa kontrolle në Lezhë, në vende ku dyshohej se po qëndronte, por pa rezultat.

Nga ana tjetër, referuar sistemit TIMS, rezulton se ai nuk është larguar nga vendi përmes pikë kalimeve kufitare.

Atentati ndaj Bejtjes u regjistrua në minutat e para të 4 korrikut. Sipas hetimit, tre persona të maskuar hapën zjarr drejt mjetit të familjarëve të tij, mjet në të cilin me herët dyshohet se ishte edhe Bejtja.

Pas ngjarjes policia arrestoi Valter Bamin, i njohur për disa përplasje me Bejtjen. Ndaj tij nuk u ngrit akuzë për atentatin, por u la në masën "arrest në burg" për akuzën e "armëmbajtjes pa leje", për shkak se iu gjetën gjurmë baruti në dorë. Në përballjet me gjykatën Bami tha se mbrëmjen e ngjarjes ka qenë në shtëpi, ndërsa gjurmët e barutit i kishte nga qitjet një armë sportive, që e mbante me leje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos