
Dy shtetas britanikë që po luftonin me trupat ukrainase, të zënë robër nga rusët, lëshojnë një video-apel drejtuar kryeministrit Boris Johnson në televizion duke kërkuar që të lirohen në shkëmbim me oligarkun dhe deputetin e opozitës ukrainase Viktor Medvedhuck. Por pothuajse në të njëjtën kohë TV ukrainas transmetoi një video prej më pak se 30 sekondash në të cilën Medvedchuck i bën thirrje Putinit dhe Zelenskit duke i propozuar lirimin në këmbim të një sjelljeje të sigurt që lejon forcat ukrainase të rrethuara në Mariupol dhe banorët të largohen nga qyteti.
Sipas agjencisë TASS, dy ushtarët britanikë, të identifikuar si Aiden Aslin dhe Shaun Pinner, kanë kërkuar që të shkëmbehen me oligarkun, të arrestuar nga inteligjenca e Kievit. Dy ushtarët u përcaktuan nga autoritetet ruse si "mercenarë" të kapur gjatë luftimeve në Ukrainë.
"Z. Boris Johnson kërkoj të shkëmbejmë veten dhe Aiden Aslin me z. Medvedchuk. Natyrisht do ta vlerësoja shumë ndihmën tuaj në këtë çështje", thotë Pinner në videon e transmetuar nga programi 60 Minuta e kanalit televiziv shtetëror Rossiya 1.
Në videon e transmetuar nuk specifikohet nëse dy britanikët janë të burgosur të forcave ruse apo të forcave separatiste pro-ruse në Donbass.
Medvedchuk u arrestua të martën në një operacion special të kryer nga shërbimet e sigurisë ukrainase. Oligarku 67-vjeçar, ishte arratisur nga arresti shtëpiak disa ditë përpara pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Ai përballet me një dënim prej 15 vitesh burgim dhe burgim të përjetshëm për akuzat e tradhtisë, ndihmës dhe lehtësimit të një organizate terroriste për ndërmjetësimin e blerjeve të qymyrit për republikën separatiste të Donetskut, të mbështetur nga Rusia, në Ukrainën lindore. (A2 Televizion)