
Avokatët Spartak Ngjela dhe Jordan Daci komentuan në emisionin Debat me Alba Alishanin në A2 CNN punën e bërë në 2 vite nga SPAK, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar, si dhe pritshmëritë nga ky institucion.
Për avokat Ngjelën, SPAK është në rrugën e duhur. Sa i përket vonesave, ai thekson se korrupsioni në drejtësi nuk është i zakonshëm, madje e quajti “gjëma e Shqipërisë”.
“SPAK është në rrugën e duhur. Duhet të kuptojmë që nuk ka një qenë një korrupsion i zakonshëm. Është gjëma e Shqipërisë. Korrupsioni i drejtësisë ka krijuar varfërinë shqiptare, ka shkatërruar pronën, ka eliminuar pothuajse krejtësisht procesin penal. Shpresojmë që çështjet të mbushen, të vazhdojë akoma largimi, e gjithë tjetra është vonesë. Vonesat ndodhin. Më mirë një vonesë për dhënie drejtësie sesa një padrejtësi”.
Një mendim pjesërisht të kundërt dha avokati Jordan Daci, i cili u shpreh se SPAK është ende në fazë emergjente.
“Vonesa nuk është e zakonshme. Sa i përket SPAK, duket se është futur në rrugën e duhur, por është shumë larg nga ajo që ne presim. Ka mungesa të theksuara sa i përket numrit të prokurorëve, është tejet i pamjaftueshëm. Në radhë të parë, vonesat krijohen pasi nuk ka prokurorë mjaftueshëm. Nga ana tjetër, SPAK nuk konceptohet pa pjesën e Byrosë dhe pjesa më e madhe e të punësuarve në Byro janë njerëz pa asnjë lloj përvoje në hetim dhe nuk është se po ndihmojnë. Nga ana tjetër, në fillimet e tij, SPAK nuk arriti të shkëputej nga ndikimet sado jo të dukshme apo domethënëse të politikës. Dështimi i dosjes 184 është një njollë që do ta shoqërojë SPAK-un gjatë gjithë kohës. Jemi në një fazë akoma emergjente te ky institucion. Gjëja që më ka pëlqyer është orientimi i hetimit drejt kërkimit me abuzimin me paratë publike”, u shpreh avokat Daci. (A2 Televizion)